Në ambientet e Institutit të Kosovës për Administratë Publike (IKAP), u mbajt sot ceremonia solemne e shpërndarjes së certifikatave për zyrtarët publikë të cilët kanë përfunduar me sukses trajnimin dhe kanë fituar të drejtën e certifikimit në kuadër të programit “Prokurimi Publik – Programi Themelor 2026”.
Ky program i rëndësishëm trajnimi dhe certifikimi u realizua në bashkëpunim të ngushtë ndërmjet Institutit të Kosovës për Administratë Publike (IKAP) dhe Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), në zbatim të dispozitave ligjore në fuqi për prokurimin publik në Republikën e Kosovës.
Gjatë ceremonisë, përfaqësuesit e IKAP-it dhe KRPP-së i uruan zyrtarët e certifikuar për arritjen e tyre profesionale, duke vlerësuar lart përkushtimin e treguar gjatë gjithë procesit të trajnimit dhe vlerësimit. Në fjalët e tyre përshëndetëse, ata theksuan rëndësinë jetike të profesionalizimit të vazhdueshëm të zyrtarëve të prokurimit për rritjen e transparencës, llogaridhënies dhe efikasitetit në menaxhimin e fondeve publike.
IKAP mbetet i përkushtuar në ofrimin e programeve cilësore të trajnimit dhe ngritjes së kapaciteteve njerëzore në administratën publike, në funksion të ndërtimit të një shërbimi civil modern, kompetent dhe në shërbim të qytetarëve.






