Instituti i Kosovës për Administratë Publike (IKAP) dhe Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Barazi Gjinore dhe Fuqizimin e Grave (UN Women) sot më 23.09.2024 ka nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi për të forcuar përpjekjet e përbashkëta në promovimin e barazisë gjinore dhe fuqizimin e grave në administratën publike të Kosovës. Ky partneritet synon integrimin e perspektivës gjinore në trajnimet për zyrtarët publikë, duke kontribuar në përmirësimin e performancës së institucioneve publike dhe avancimin e standardeve ndërkombëtare për barazi gjinore.
Fusha e Bashkëpunimit do të jetë; IKAP dhe UN Women janë pajtuar të punojnë bashkërisht në bashkërendim me Agjencinë për Barazi Gjinore (ABGJ) dhe Zyrën e Bashkëpunimit për Zhvillim (ZBZH) të Zyrës së Kryeministrit, në ngritjen e kapaciteteve të zyrtarëve të administratës publike, në përkrahje të zbatimit të politikave publike, ku sigurohet barazia gjinore dhe diversiteti në të gjitha nivelet dhe në të gjithë sektorët e administratës publike, si dhe në funksion të përmirësimit të punës dhe performancës së institucioneve publike, duke i bërë ato më të përgjegjshme ndaj interesave të ndryshme publike.
Fokus i veçantë do të jetë barazi gjinore dhe integrimin gjinor, për rritjen e cilësisë së shërbimeve të ofruara në përputhje me standardet e BE-së dhe ndërkombëtare.
Kjo marrëveshje përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të kapaciteteve të fuqishme për promovimin e barazisë gjinore në Kosovë dhe përpjekjeve për të siguruar një administratë publike që respekton dhe përfaqëson nevojat e të gjithë qytetarëve, pa dallim gjinie.



