Instituti i Kosovës për Administratë Publike (IKAP) ka nisur zbatimin e njërit prej programeve më të rëndësishme për ngritjen e kapaciteteve profesionale në sektorin e prokurimit publik. Trajnimet në Programin e Avancuar Profesional të Prokurimit Publik për vitin 2024 u hapën me përkushtim për të siguruar standarde të larta të zbatimit të ligjeve dhe procedurave të prokurimit në nivel kombëtar. Ky program, organizuar në bashkëpunim me Komisionin Rregullator të Prokurimit Publik (KRPP), synon të pajisë pjesëmarrësit me njohuri dhe aftësi të avancuara për të përmirësuar efikasitetin dhe transparencën në proceset e prokurimit.
Zonja Lule Isufi, U.d Drejtore e Përgjithshme e IKAP, përshëndeti pjesëmarrësit dhe ju uroi sukses, duke theksuar rëndësinë e këtyre trajnimeve si një hap kyç drejt avancimit profesional të pjesëmarrësve që do të certifikohen. Ajo siguroi se i gjithë procesi i trajnimit do të zhvillohet sipas planit dhe me cilësi të lartë.
Nga data 23 shtator 2024 kanë filluar trajnime që do të përfshijnë disa module të dizajnuara për të ofruar njohuri të avancuara në fushën e prokurimit publik. Trajnimet po zhvillohen në ambientet e Institutit të Kosovës për Administratë Publike, në rrugën “Pavarësia,” Hajvali, Prishtinë, dhe përfshijnë një numër të konsiderueshëm pjesëmarrësish nga institucione të ndryshme publike.



