Iniciohet bashkëpunim mes Institutit për Administratë Publike – IKAP dhe USAID KeG
Drejtoresha e IKAP znj. Lule Isufi me bashkëpunëtorë priti në takim z. Gregory Robins – Udhëheqës i aktivitetit USAID KeG dhe bashkëpunëtorët Burim Meholli – Zv. Udhëheqës i aktivitetit USAID KeG, Besim Ilazi – Udhëheqës i Objektivit 2, dhe Arianit Dobroshi – Specialist për zhvillim të kapaciteteve.
Në takim u njoftuan lidhur me ndryshimet dhe avancimin e institucionit, zhvillimin dhe përmirësimin e infrastrukturës ligjore, trajnimeve, dixhitalizimin e shërbimeve përmes platformave, trajnimet dhe edukimin në këtë fushë të administratës publike. Z. Robins shtroi mundësinë e bashkëpunimit dhe përkrahjes në komponentët që janë prioritet të Qeverisë së Republikës së Kosovës, hapat që mund të ndërmerren për të filluar bashkëpunimin, nënshkrimin e marrëveshjes mes USAID dhe Qeverise dhe përkrahja që do t’i ofrohet IKAP për një zhvillim të infrastrukturës për e-Qeverisje në Kosovë pasi që USAID KeG synon të përmirësojë shërbimet dixhitale dhe menaxhimin e sistemeve dixhitale të Qeverisë së Kosovës duke qartësuar rolet dhe proceset institucionale, duke përforcuar kapacitetin institucional për të ofruar shërbime, dhe duke angazhuar shoqërinë civile dhe sektorin privat në e-Qeverisje.
Shërbimet dixhitale dhe menaxhimi i sistemeve dixhitale në administratën publike janë në rritje për të përmbushur kërkesat dhe nevojat e qytetarëve në një mënyrë efikase dhe efektive. Mbështetja nga USAID do të përshpejtojë transformimin në një qeverisje dixhitale, që siguron që qytetarët marrin shërbime me cilësi të lartë, efikase dhe të qasshme.
Ky aktivitet është 5 vjeçar dhe fokusohet në këto tre objektiva:
1. Rolet institucionale dhe proceset e qeverisjes janë të qarta dhe të zbatueshme.
2. Institucionet kyçe kanë ekspertizën teknike dhe aftësitë e menaxhimit të programeve për të zhvilluar, menaxhuar dhe ofruar platforma dhe shërbime dixhitale qeveritare.
3. Mekanizmat e jashtëm për reagim dhe mbikëqyrje mbi prioritetet dhe ofrimin e shërbimeve dixhitale janë vendosur dhe përdoren.
Mbështetja dhe bashkëpunimi me IKAP është paraparë në objektivin 2 i cili parasheh ofrimin e mbështetjes për ASHI, IKAP dhe ministritë kyçe për të krijuar ekspertizën dhe aftësitë e nevojshme teknike për zhvillimin dhe ofrimin e platformave dhe shërbimeve dixhitale të qeverisë. Gjithashtu do të përqendrohet në aftësimin e personelit dhe krijimin e një mjedisi të favorshëm për të mbajtur profesionistët e teknologjisë informative, duke theksuar stimujt dhe skemat motivuese dhe identifikimin e mekanizmave për edukimin e avancuar dhe të qëndrueshëm të zyrtarëve që punojnë në TI.
Implementimi i shërbimeve dhe menaxhimit të sistemeve dixhitale në administratën publike kërkon një strategji të qartë dhe një angazhim të fortë për të siguruar suksesin e tyre. Kjo përfshinë investime në teknologji, trajnime për personelin, si dhe bashkëpunim për zhvillimin dhe implementimin e platformave dhe sistemeve dixhitale.
Zonja Isufi i siguroi për bashkëpunim dhe ofrimin e të dhënave për të lëvizur drejtë zhvillimit të institucionit dhe përmirësimin e shërbimeve, trajnimeve për administratën publike, temat të cilat janë në Strategjia e Reformës së Administrate Publike SRAP 2022-2026 do të përfshihen në aktivitete të IKAP dhe USAID-KeG nga të gjitha institucionet.

