USAID prezantoi sistemin për menaxhimin e trajnimeve MOODLE (LMS)
Zëvendësuesja e Drejtorit të Përgjithshëm të Institutit të Kosovës për Administratë Publike (IKAP), znj. Lule Isufi, priti në takim Ushtruesin e Detyrës së Drejtorit të Projektit të USAID–it “Integriteti i Komunave të Kosovës” z. Stephen Carpenter me bashkëpunëtor.
Qëllimi i takimit ishte prezantimi sistemit për menaxhimin e trajnimeve MOODLE (LMS).
Në takim të pranishëm ishin Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Projektit të USAID–it “Integriteti i Komunave të Kosovës” z. Stephen Carpenter nga USAID me dy përfaqësues, Zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, z. Bardhyl Dobra dhe stafi i IKAP.
Znj. Isufi e falënderoi z. Stephen Carpenter për gatishmërinë për të përkrahur IKAP-in tha se “krijimi i Platformës MOODLE (LMS) për menaxhimin e trajnimeve do të lehtësonte dhe përmirësonte përvojën e të mësuarit të nëpunësve civil në institucionet shtetërore. Kjo Platformë do të ofronte një mori veglash të cilat u mundësojnë institucioneve të krijojnë, menaxhojnë dhe ofrojnë trajnime në një mjedis virtual, lehtë për t’u përdorur, duke e bërë atë të qasshme si për trajnuesit ashtu edhe për pjesëmarrësit në trajnim, pavarësisht nga përvoja e tyre teknike”.
Zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, z. Bardhyl Dobra i cili e falënderoi z. Stephen Carpenter për vizitën dhe për mbështetjen e vazhdueshme të IKAP nga USAID-i.
Z. Dobra shprehi gatishmërinë e Ministrisë së Punëve të Brendshme për mbështetje të IKAP për këtë aktivitet, por edhe për të gjitha ndryshimet që do të bëhen në përmirësimin e shërbimeve që ofron IKAP.
IKAP trajnimet të cilat po i organizon gradualisht do të digjitalizohen, prandaj Platforma MOODLE (LMS) do të mbështet një gamë të gjerë në këtë drejtim, duke përfshirë krijimin e përmbajtjes së trajnimit, ushtrime, detyra, kuize/teste, diskutime dhe mjete bashkëpunimi mes pjesëmarrësve, theksoi ndër të tjera Zëvendësuesja e Drejtorit të Përgjithshëm të IKAP.
Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Projektit të USAID –it “Integriteti i Komunave të Kosovës” z. Stephen Carpenter, rikonfirmoi përkrahjen dhe ka shprehur gatishmërinë që përmes këtij projekti të ndihmojë IKAP-in në ngritjen e kapaciteteve trajnuese, digjitalizimin e saj, por edhe në sfera tjera, pasi që ky projekt është fleksibil dhe krijon mundësi të shumta për të ndihmuar IKAP-in.

