Më 5 korrik 2022, në IKAP u mbajt takimi në mes të IKAP-it dhe UN Women, për vazhdimin e implementimit të modulit të trajnimit në përkrahje të zbatimit të politikës kundër ngacmimi seksual në organet e administratës publike (nr. 260/ 2020, datë 25 nëntor 2020).
Qëllimi kryesor i trajnimit Adresimi i diskriminimit gjinor në vendin e punës: Zbatimi i politikës kundër ngacmimit seksual në organet e administratës publike, është njohja e pjesëmarrësve me konceptet bazë të diskriminimit gjinor në vendin e punës si dhe të zbatimit të politikës kundër ngacmimit seksual në organet e administratës publike. Ky trajnim iu dedikohet menaxherëve / zyrtarëve të burimeve njerëzore në administratën publike.
Përfaqësuesit e IKAP-it (Basri Berisha, Zhvillues i Programit për Burime Njerëzore) dhe të UN Women (Florije Kryeziu, Koordinatore e projektit dhe Donika Lamaxhema, bashkëpunëtore e komunikimit) u dakorduan parimisht që trajnimet të mbahen në gjysmën e dytë të shtatorit të këtij viti edhe për së paku tre (3) grupe të trajnimit.
Trajnimet mbështeten nga UN Women dhe organizohen brenda kornizës së projektit “Promovimi i punës së denjë përmes forcimit të menaxhimit të sigurisë dhe shëndetit në punë, si dhe dialogut social në Kosovë”, i cili implementohet nga ILO dhe financohet nga Agjencia Suedeze e Bashkëpunimit Ndërkombëtar për Zhvillim (SIDA) përmes Ambasadës së Suedisë në Prishtinë.
Organizimi i këtyre trajnimeve është një nga pikat e bashkëpunimit sipas Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet IKAP-it dhe UN Women, i nënshkruar më 1 dhjetor 2021.


