Zëvendësministri i Punëve të Brendshme z. Bardhyl Dobra, në përputhje me marrëveshjen e mirëkuptimit të nënshkruar më 2022 me Shkollën e Lidershipit Publik të Universitetit të Stellenbosch-it të Afrikës së Jugut, në mënyrë virtuale u mbajt shkëmbimi i parë i përvojave në fushën e luftës kundër korrupsionit, veçanërisht përmes veprimit dhe mbrojtjes së sinjalizuesve.
Në këtë takim virtual i cili mblodhi rreth 60 zyrtarë nga shërbimi jonë civil, morrën pjesë edhe Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, z .Yll Buleshkaj, Drejtoresha e Institutit të Kosovës për Administratën Publike, znj. Lule Isufi, si dhe studentë nga Afrika e Jugut dhe zyrtarë.
Me këtë rast, Zëvendësministri Dobra përgëzoi interesimin e dukshëm të treguar nga ana e të gjithë pjesëmarrësve të stafit civil të administratës publike të Kosovës. Në veçanti, shprehi mirënjohjen për prezantimin e Znj. Pusetso Morapedi, Drejtoresha e Platformës për Mbrojtjen e Sinjalizuesve në Afrikën e Jugut, si dhe për dëshminë e fuqishme nga përvoja përsonale e Znj. Cynthia Stimpel, Drejtoresha Ekzekutive e Shtëpisë së Sinjalizuesve. Duke marrë parasysh angazhimet e këtyre dy personaliteteve të njohura në luftën kundër korrupsionit dhe jehonën e punës së tyre nëpër të gjithë rajonin e Afrikës së Jugut, ishte vërtetë një nder dhe një kënaqësi që të prezantohet në Kosovë një përvojë kaq e vlefshme.
Veprimet e sinjalizuesve, sikur jashtë dhe brenda shërbimit civil, janë të një rëndësie të lartë në rrugën drejtë luftës kundër korrupsionit, andaj Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për të sjellë kornizën dhe mjetet për mbrojtjen e tyre.
Në fund, Zëvendësministri Dobra falenderoi veçanërisht Profesoreshën Znj. Pregala Solosh Pillay nga Shkolla për Lidershipin Publik për mundësinë e realizimit të sukseshëm të kësaj punëtorie. Ky ishte hapi i parë i bashkëpunimit mes dy vendeve tona, që edhe pse ndodhen në distancë të largët, ndajnë sfida të ngjashme ndërsa gatishmëria për ndarje të përvojave mbetet e hapur.
Burimi: Ministria e Punëve të Brendshme